You are here

Gëzuar ditëlindjen...virus-it të parë informatik!

AlbLinux's picture

Eh po, nuk e di nëse është me të vërtetë rasti të thërrasim "Edhe njëqind vjeç!", por ditëlindja është ditëlindje: 20 vjet më parë, në University of Southern California, një student me emrin Fred Cohen, i prezantoi shoqërisë virusin e parë informatik.

Në fakt, studenti i ri universitar, ishte duke ndjekur një studim mbi sigurinë informatike, dhe pas disa ditëve dhe netësh pa gjumë, arriti të shkruajë një program që infektonte dhe ndryshonte programet e tjerë.

Frutin e punës së tij, vendosi t'a prezantojë në një seminar të organizuar nga Universiteti i tij, në nëntor 1983, plot 20 vjet më parë.

Kompjuteri i zgjedhur për eksperimentin ishte një Vax. U desh më pak se një orë që ky mini-kompjuter të bëhej krejtësisht i papërdorshëm nga një program grafik i quajtur Vd. Virus i krijuar nga Fred arriti dhe transformoi në pak minuta çdo pjesë të sistemit të Vax, para vështrimeve të mahnitura të profesorëve dhe studentëve të tjerë. Lindi kështu virusi i parë informatik, i aftë, sipas shpjegimeve të krijuesit tij, të përhapej edhe në kompjuterët e tjerë me anë të floppy apo rrjetit. Ishte vetë Fredy që parashikoi mundësitë shkatërruese të virusve.

Në ditët e sotme llogariten të ekzistojnë rreth 60.000 virus të ndryshëm (edhe pse dikush pohon që në të vërtetë janë rreth 118 mijë të tillë). Në fillim ishin të paktë në numër por, lindja e autostradës së komunikimit, internetit, bëri që numri i tyre të rritet me shpejtësi të frikshme.